Historiku i Fakultetit

Më 23 qershor 1961 u miratua Ligji për themelimin e Fakultetit Juridik-Ekonomik të Prishtinës, ndërsa punën ky fakultet e filloi më 7 tetor 1961.

  Në vitin e parë të punës u angazhuan katër punëtorë në marrëdhënie të përhershme pune, nga të cilët 1 profesor i rregullt dhe 3 ligjërues, si dhe 5 mësimdhënës në marrëdhënie pune plotësuese, prej të cilëve 1 profesor i rregullt, dy docentë dhe një ligjërues. Po kështu, u zgjodhën edhe 10 asistentë të rinj.

 

  Në vitin shkollor 1961/62, në Seksionin Juridik u regjistruan 63 studentë të rregullt, nga të cilët 30 shqiptarë, 32 serbë e malazezë dhe 1 me kombësi tjetër, si dhe 267 studentë me korrespondencë, prej të cilëve 65 shqiptarë, 149 serbë e malazezë dhe 1.773 të tjerë.

 

  Në vitin shkollor 1971/72, Fakulteti Juridik-Ekonomik u nda në Fakultetin Juridik dhe në atë Ekonomik. Atë vit shkollor, në procesin mësimor të këtij fakulteti qenë angazhuar 54 mësimdhënës e bashkëpunëtorë, nga të cilët 33 për mësim në gjuhën shqipe dhe 21 për mësim në gjuhën serbokroate. Ndër ta ishin 17 doktorë shkencash dhe 17 magjistra. Në Fakultetin Juridik studimet zhvilloheshin sipas sistemit katërvjeçar, ndërkaq studimet pasdiplomike u hapën në vitin 1974/75, fillimisht në Seksionin Administrativ-Politik dhe në atë Juridik-Civil, kurse nga viti shkollor 1984/85 edhe në Seksionin Juridik-Penal. Këto studime mbaheshin paralelisht në gjuhën shqipe dhe në atë serbokroate.

 

Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin Bachelor. Në gjysmën e dytë të vitit 2004 u miratuan planet mësimore për studimet Master për Drejtimin Kushtetues dhe Administrativ, Drejtimin Civil, Drejtimin Penal, Drejtimin Ndërkombëtar dhe Drejtimin Financiar.  

 

Në këtë vit shkollor, në Fakultetin Juridik janë 6.100 studentë në studimet themelore, ndërsa në procesin mësimor janë të angazhuar 74 mësimdhënës dhe asistentë në marrëdhënie të rregullt pune dhe 14 bashkëpunëtorë.

 

     Në vitin 2007∕2008 Senati i UP-së miratoi planet e reja mësimore për studimet Bachelor me sistem katërvjeçar.

 

Që nga viti 2009, Fakulteti Juridik organizon studimet e doktoratës në Drejtimin Penal, Drejtimin Ndërkombëtar, Drejtimin Civil dhe Drejtimin Administrativ.