Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Fakultetit Juridik dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës

18 Nëntor 2021
SHARE

Me datë 17 nëntor 2021, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Fakultetit Juridik dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Qëllimi i këtij memorandumi është krijimi i bashkëpunimit në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK-së) dhe Fakultetit Juridik (UP) për lehtësimin e dhënies së ekspertizës së personelit akademik të Fakultetit Juridik-UP për KGJK-në, praktikës profesionale të studentëve të Fakultetit Juridik, angazhimin e gjyqtarëve apo anëtarëve të KGJK në aktivitete akademike të përbashkëta dhe avancimin e mësimit klinik për studentët e juridikut, si dhe ndihmën në rritjen e transparencës së gjyqësorit në Kosovë përmes platformave që synojnë informimin e publikut dhe qytetarëve. 

Bashkëpunimi përmes këtij memorandumi, ndër të tjera, ka si qëllim të rëndësishëm që të filloj vendosja e platformës “Gjykata Ime” www.gjykataime.org, në ueb faqen e Fakultetit Juridik,  që do t’u shërbej studentëve dhe qytetarëve të marrin informacione të nevojshme për gjykatën, procedurat gjyqësore, lëndët në gjykim dhe informata të tjera relevante për gjyqësorin. Zhvillimi i kësaj platforme, mbështetet edhe në marrëveshjen paraprake (nëntor 2020) me Projektin e USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë ( “Projekti JSSP”) që ka përcaktuar mbështetjen e Fakultetin Juridik për zhvillimin e platformës “Këndi i Qytetarëve” (http://gjykataime.org”.), dhe ndër të tjera janë ndarë bursa për studentët me qëllim të mirëmbajtjes së platformës në fjalë.

Memorandumi u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Ass.Dr. Avni Puka dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj.