NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E BASHKËPUNIMIT MIDIS FAKULTETIT JURIDIK DHE GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

13 Janar 2023
SHARE

Me datë 13 Janar 2023, në një ceremoni të përbashkët Fakulteti Juridik i UP-së dhe Gjykata Kushtetuese kanë nënshkruar Marrëveshje të Bashkëpunimit.

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit nënshkruhet pas një komunikimi të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik me institucionet e drejtësisë në Kosovë, në mënyrë të veçantë me Gjykatën Kushtetuese, në kuadër të procesit të reformës së planprogramit, rikonceptimit të mësimit klinik dhe krijimit të mundësive për praktikë të studentëve dhe avancimin e edukimit ligjor.

Objekt i marrëveshjes së nënshkruar, ndër të tjera, janë zhvillimi i veprimtarive të përbashkëta me qëllim, thellimin dhe shkëmbimin e njohurive në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut, të gjyqësisë kushtetuese dhe sundimit të ligjit, si dhe pjesëmarrja e ndërsjellë në seminare dhe konferenca profesionale.

Pjesë e aktiviteteve të parashikuara janë: ligjëratat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese para studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së, qasja e studentëve të drejtësisë në nivelin master dhe të doktoratës në Bibliotekën e Gjykatës për qëllime akademike dhe kërkimore, si dhe angazhimi i studentëve të Fakultetit Juridik si praktikantë në Gjykatën Kushtetuese.

Fakulteti Juridik dhe Gjykata Kushtetuese mbesin të përkushtuar, bashkërisht dhe secili brenda kompetencave të veta, të mbështesin avansimin e vazhdueshëm të gjeneratave të reja të juristëve.

Marrëveshja  është nënshkruar nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Avni Puka dhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani.