Ftesë për aplikim për pjesëmarrje në konferencën HNMUN

27 Tetor 2020
SHARE

Ftesë për aplikim për pjesëmarrje në konferencën

HNMUN

HARVARD NATIONAL MODEL UNITED NATIONS (HNMUN) është konferenca më e madhe, më e vjetër dhe më prestigjioze në botë që organizohet nga studentët e Universitetit të Harvard-it, e që i
mbledhë më shumë se 200 universitete dhe 3000 studentë nga e mbarë bota.

Universiteti i Harvard-it është universiteti më i vjetër dhe më i ranguar në Amerikë dhe në botë në
fushën e arsimit të lartë, dhe është organizator i konferencës që mbështetet nga Kombet e
Bashkuara. Kjo konferencë është inauguruar në vitin 1953, kur një grup studentësh të Harvard-it që
më herët e kishin simuluar punën e Lidhjes së Kombeve, kishin vendosur që të fillojnë një simulim
të ri, i cili do të reflektonte organizatën e re, të themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, pra
Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Konferenca mbahet për 4 ditë në Boston, nën mbikëqyrje strikte dhe të kujdesshme nga stafi i
HNMUN-it. Ketë vit konferenca organizohet ONLINE nga data 11 deri më 14 shkurt 2021. Ky është
sesioni i 67-të vjetor.

Ketë vit, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, për shkak të bashkëpunimit korrekt dhe
pjesëmarrjes së rregullt, ka marrë ftesë zyrtare nga organizatoret e konferencës, për të
marrë pjesë në ketë garë dhe do të përfaqësohet nga 10 studentë, të cilët do të përgatiten
dhe trajnohen, në mënyrë që Universiteti të ketë një paraqitje sa më dinjitoze dhe të
suksesshme. Universiteti i Prishtinës merr pjesë për disa vite me radhë tashmë, krahas
pjesëmarrjes në një numër garash të tjera studentore. Të drejtë pjesëmarrje, kanë
studentet nga te gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës.

Përmes kësaj shpalljeje, ftojmë të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës që janë të
interesuar për të marrë pjesë në konferencë që të dërgojnë nga një CV dhe Letër Motivimi (jo më
e gjatë se një faqe) në gjuhën angleze në e-mail adresën: [email protected]

Aplikimi do te jetë i hapur deri me datën 31 Tetor 2020 ora 16:00. Aplikimet e dërguara pas kësaj
kohe, nuk do të shqyrtohen.

Në pajtim edhe me kërkesat e donatorëve dhe parimet e barazisë dhe të dhënies së mundësive sa
më të mëdha për studentët, përparësi kanë ata studentë që nuk kanë marrë pjesë më parë në
konferenca ndërkombëtare-studentore.

Për më shumë informacione dhe detaje rreth HNMUN-it, mund të vizitoni faqen zyrtare:
http://www.hnmun.org/

Studentët e paraselektuar mbi bazën e CV-së dhe Letrës së Motivimit, do t’i nënshtrohen një testimi
me shkrim (në gjuhën angleze) për aspekte relevante për konferencën. Studentët që kalojnë
testimin me shkrim, do të intervistohen nga një panel profesional.