Fakulteti Juridik lanson Programin me Ligjërues të Ftuar (Guest Speaker Program) – Ligjërata e Ambasadorit të BE-së, z. Tomas Szunyog

20 Tetor 2020
SHARE

Me datën 16.10.2020, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës lansoi Programin për Ligjërues të Ftuar (Guest Speaker Program), i cili do të jetë një program i vazhdueshëm ku do të ftohen personalitete të shquara për të folur mbi tema të rëndësishme për studentët e Fakultetit Juridik.

Ligjërata e parë u mbajt nga Ambasadori i BE-së, z. Tomas Szunyog i cili foli mbi temën ‘’Rrugëtimi Evropian i Kosovës dhe Kushtëzimi mbi Zgjerimin: Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’i ndjekur reformat shpejt dhe më seriozisht’’, disa ditë pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2020. Studentët dhe personeli akademik patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive me Ambasadorin e BE-së Szunyog, i cili përveç tjerash tha se nuk ka rrugë të shkurtë drejt BE-së dhe se duhet bërë përpjekje më të mëdha për reforma dhe rezultate konkrete, në veçanti, në fushën e sundimit të ligjit.