THIRRJE PËR APLIKIM PËR STUDENTËT E FAKULTETIT JURIDIK PËR PRAKTIKË VIRTUALE ME JAMES MADISON UNIVERSITY- PRILL-QERSHOR 2021

07 Prill 2021
SHARE

DATAT: 19 PRILL-8 QERSHOR 2021

LOKACIONI: PRAKTIKË VIRTUALE ME JAMES MADISON UNIVERSITY (JMU), PROGRAMIN EUPS, FLORENCE, ITALI.

PËRSHKRIMI I PROJEKTIT: Në bazë të zhvillimeve të fundit në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm dhe në rritje në mes të dy universiteteve, KATËR (4) studentë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës do të kenë mundësi të kryejnë një praktikë dy mujore (virtualisht) me JMU. Çdo student do të punoj në ekip me një student të JMU EUPS nga programi Master në Studimet e Politikave të Bashkimit Evropian, nën mbikqyrjen e stafit akademit të JMU dhe FJ/UP. Praktikantët do të punojnë në projektet e tyre në baza ditore (8 orë në ditë), për gjithsejtë 288 orë. Të gjitha specifikat tjera logjistike do të arranzhohen dhe ndahen me studentët. Projektet e praktikës janë zhvilluar në bashkëpunim me U.S. Department of Homeland Security (DHS) në Washington D.C., dhe në veçanti me ‘Human Rights Violators and War Crime Center’’ apo HRVWCC (shihni broshurën e bashkangjitur). Secili ekip do të eksploroj një apo disa shkelje të të drejtave të njeriut apo krimeve të luftës të kryera në Kosovë përmes burimeve të hapura, dhe të raportoj në Qendër në lidhje me ngjarjet në mënyrë të detajuar, duke ndihmuar në ndriqimin e përgjegjësive. Para fillimit të praktikës, mbikqyrësit nga HRVWCC do të takohen virtualisht me studentët për t’iu prezantuar shkurtimisht HRVWCC. Ata pastaj do ta mbikqyrin prodhimin e punimeve nga praktikantët mbi temat e përzgjedhura. Studentëve do t’iu jepen afate kohore për t’i dorëzuar, sipas rradhitjës: bibliografinë, një kornizë të punimit, punimin hulumtues, prezantimin e të gjeturave të hulumtimit tek Balkans Regional Team dhe anëtarët e tjerë të HRVWCC. Datat do të qartësohen për të gjitha këto dorëzime. Studentët do të takohen me mbikqyrësit nga HRVWCC në baza javore për të bërë pyetje dhe diskutuar të gjeturat.

Studentët e interesuar mund të aplikojnë duke dërguar CV, dhe një letër motivimi në gjuhë angleze (jo më shumë se një faqe) tek [email protected], deri më së largu 12 prill 2021, në ora 17:00. Aplikimet e pranuara pas këtij afati nuk do të merren parasysh. Studentët në listë të ngushtë do të ftohen për një intervistë të shkurtër.

Kriteret:

- Të jeni student/e të nivelit Bachelor (viti II, III, IV) ose të nivelit Master;
- Të keni njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës angleze në të folur dhe shkruar;
- Të keni shkathtësi të hulumtimit dhe shkrimit ligjor;
- Të jeni në dispozicion për kohën e paraparë për këtë praktikë virtuale.