Ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në garën Willem C. International Arbitration Moot ka fituar vendin e parë në garën rajonale, si paragarë në përgatitje për garën kryesore që do të mbahet në Vienë. Për më tepër, studenti Lekë Morina është shpallur folësi më i mirë i gjithë garës, në mesin e më shume se 60 folësve të tjerë.
Para-gara e Zenicës, që u mbajt në Sarajevë dhe Zenicë të Bosne dhe Hercegovinës, është njëra nga para-garat më të fuqishme në Evropë, me konkurrencë të skajshme të ekipeve më të fuqishme të rajonit. Suksesi i studentëve në këtë paragarë është indikator i mirë i suksesit të tyre të deritanishëm, por edhe suksesit që pritet ta tregojnë ata në paragarën në Paris, që mbahet në fund të muajit mars, dhe në garën kryesore në Vienë, në muajin prill.
Ekipi fitues përbëhet nga Art Sylaj, Dior Zhuri, Ernesa Shala, Lekë Morina dhe Morea Salihu, si dhe trajnohen nga Prof. Ass. Donikë Qerimi dhe Lyra Çela, Doktorante në Programin e së Drejtës Ndërkombëtare, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Grupi i Studentëve të Ekselencës të Fakultetit Juridik-UP po fuqizohet, duke arritë suksese ndërkombëtare!
Fakulteti Juridik si dhe ekipi janë tejet falenderues për mbështjetjen e ofruar për pjesëmarrjen në këtë garë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Programi për Zhvillimin e të Drejtës Kontraktore (Contract Law Development Programme).
Pjesëmarrja e ekipit në para-garën në Paris do të financohet nga vet Fakulteti Juridik/UP, si zotim i përhershëm për mbështetjen e garave ndërkombëtare për studentët e drejtësisë.