Lansimi i Projektit: “Studentët, Universiteti dhe Proceset e Ballafaqimit me të Kaluarën në Kosovë’’

10 Maj 2022
SHARE

Sot u mbajtë takimi i parë diskutues me studentë në kuadër të projektit ‘’Studentët, Universiteti dhe Proceset e Ballafaqimit me të Kaluarën në Kosovë’’, i cili në fokus do të ketë theksimin e rolit të universitetit në proceset e ballafaqimit me të kaluarën dhe promovimin e gjithëpërfshirjes në këto procese.

Studentëve pjesëmarrës iu drejtua Dekani i Fakultetit Juridik Prof. Dr. Avni Puka i cili theksoj rëndësinë e aktiviteteve të tilla në ngritjen e kapaciteteve të studentëve lidhur me proceset e ballafaqimi me të kaluarën dhe falënderoj platformën HERAS+ për mbështetjen e një projekti të tillë. Po ashtu, studentëve iu drejtua edhe Znj. Donjeta Ibra nga Zyra e HERAS+, e cila konfirmoj rëndësinë e projekteve të tilla të cilat në fokus kanë dimensionin social.

Në pjesën e dyte të takimit, u prezantua përmbajtja dhe pritshmëritë e projektit dhe u mbajt një diskutim me studentë lidhur me temën ‘Drejtësia Tranzicionale, aspekti teorik’ si një fushë me rendësi në proceset e ballafaqimit me të kaluarën. Diskutimi u mbajt nga Z. Besnik Beqaj, si studiues i Drejtësisë Tranzicionale.

Ky projekt është iniciuar nga Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkëfinancuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në kuadër të “HERAS+, Arsimit të Lartë, Hulumtimit dhe Shkencës së Aplikuar Plus”.