Mbahet Tryeza e Diskutimit: “Roli i Akademisë në Proceset e Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë”

04 Korrik 2022
SHARE

Me 01 korrik 2022, e premte,  në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës u mbajt tryeza e diskutimit “Roli i Akademisë në Proceset e Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë”.

Në kuadër të kësaj tryeze u diskutua rëndësia e akademisë në mbështetjen e proceseve të drejtësisë tranzicionale në Kosovë, si përmes ofrimit të ekspertizës profesionale, ashtu edhe përmes përgatitjes së kuadrove të reja në këtë fushë specifike.  

Një diskutim i tillë u zhvillua mes panelistëve nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Zagrebit, shoqëria civile dhe Ministria e Drejtësisë, të cilët konsideruan qe në Kosovë mungojnë programe të studimit për ndërtimin e paqes, mungon një angazhim përmbajtësor i akademisë në proceset e drejtësisë tranzicionale, dhe në anën tjetër të rinjtë e Kosovës kanë një mungesë të informatave bazë lidhur me ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë. Diskutimi u përcoll edhe më pyetje dhe komente nga studentët pjesëmarrës të Universitetit të Prishtinës. 

Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të projektit “Studentët, Universiteti dhe Proceset e Ballafaqimit me të Kaluarën në Kosovë” i cili është duke u implementuar nga Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkë-financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në kuadër të platformës “HERAS+”.