Takim me delegacionin e UC College of the Law (San Francisco) nga Universiteti i Kalifornisë (zbatimi i projektit të mbështetur nga Ambasada Amerikane)

28 Shtator 2022
SHARE

Me datë 22.09.2022, Dekani i Fakultetit Juridik dhe Prodekanët kanë pritur delegacionin e UC College of the Law (San Francisco) nga Universiteti i Kalifornisë, që janë partnerë në kuadër të Projektit “Expanding and Improving Practical Legal Education in Kosovo” i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Fakulteti Juridik i UP-së është përfitues i këtij projekti me rëndësi të posaçme, i cili përfshinë mbështetjen e fakultetit për 2 vite (2020-2024), e që konsiston në: mbështetjen e reformës së kurrikulës së Fakultetit Juridik (në veçanti funksionalizimin e klinikave ligjore në kuadër të Qendrës për Studime Klinike) . Në kuadër të kurrikulës objektivat kryesore të projektit synojnë: 1) që përmbajtja e kurrikulës së akredituar të bazohet në shkathtësi të përgjithshme, e në veçanti edukimin përmes klinikave ligjore, dhe 2) studentët e fakultetit juridik të kenë aftësi me të mira në të menduarit kritik. Projekti përfshinë mbështetjen edhe për disa aktiviteteve, si: organizimi i trajnimeve për studentë; organizimi i konferencave dhe simpoziumeve; trajnimin e profesorëve të Fakultetit Juridik në lidhje me mbikëqyrjen/mentorimin e klinikave ligjore, si dhe mobilitein/qëndrimin e profesorëve të Fakultetit Juridik në ShBA (San Francisko, etj.).

Qëllimi i vizitës ishte takimi me menaxhmentin e Fakultetit Juridik,  njoftimi me reformat e planprogrameve, rikonceptimin e mësimit klinik dhe funksionalizmin e Qendrës për Studime Klinike, takimi me personelin akademik, koordinimi i aktiviteteve dy vjeçare, përfshirë edhe planifikimin e vizitave studimore në ShBA, dhe qëndrimin e profesorëve amerikanë në Prishtinë.

Po ashtu në kuadër të vizitës, me datë 26.09.2022, është realizuar një takim i përbashkët me Profesorët e Fakultetit Juridik, ku fokus kryesor i trajtimit ishin modeli i funksionimit të klinikave ligjore në U.C. Hstings College of Law, si dhe mundësia që praktikat e tilla të implementohen në kuadër të modelit të klinikave ligjore në Fakultetin Juridik (UP), që me kurrikulen e re pritet të implementohen nga viti akademik 2023/2024, në kuadër të Qendrës për Studime Klinike (QSK)".