THEMELOHET QENDRA PËR STUDIME KLINIKE NË FAKULTETIN JURIDIK

06 Prill 2023
SHARE

Pas një procesi të gjatë të rikonceptimit të mësimit klinik në Fakultetin Juridik, themelimit të klinikave ligjore, përfshirjes së personelit akademik, studentëve dhe aktorëve të tregut të punës, si dhe me mbështetjen e Rektoratit të UP-së, Këshilli Drejtues ka marrë vendim për themelimin e Qendrës për Studime Klinike.  

Kjo qendër do të shërbejë si mekanizëm implementues i mësimit klinik (klinikave ligjore), që është njëra ndër shtyllat kryesore të Fakultetit Juridik në zbatimin e programit të ri të studimeve (kurrikula e re), si dhe e njëjta do të shërbejë si ndërlidhje e studentëve të juridikut me institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të tregut të punës.

Qendra për Studime Klinike ka si mision kryesor realizimin e aktiviteteve hulumtuese. Në mënyrë të veçantë, në kuadër të qendrës përfshihet koncepti i klinikave ligjore me klientët e vërtetë (Live Clinics), ku nga viti akademik 2023/2024 studentët e Fakultetit Juridik do të fillojnë të ofrojnë shërbime juridike falas "pro bono" për grupet vulnerable, nën mentorimin e profesorëve dhe ekspertëve të praktikës (gjyqtarë, prokurorë, avokatë, zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, bashkëpunëtorëve profesionalë të prokurorive, gjykatave, etj.).

Për zbatimin praktik të programit të klinikave ligjore, Fakulteti Juridik ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Odën e Avokatëve të Kosovës dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.