Vizioni i Fakultetit Juridik

Fakulteti Juridik synon të jetë një hapësirë e mendimit të avancuar shkencor në fushën juridike, që ndjek praktikat e mira të hulumtimit shkencor dhe që kontribon në ndritësimin e dukurive moderne të së drejtës përmes publikimit të të gjeturave në revista shkencore me indeksim kredibil dhe shtëpi botuese me renome botërore. Mësimdhënia dhe mësimnxënia në përputhje me një standard të bazuar thellësisht në mendim kritik, e me një qasje të balancuar ndërmjet dijes dhe shkathtësive të kërkuara në tregun bashkëkohor të punës, janë gjithashtu synime themelore që i aspiron institucioni ynë.

Vështruar nga një përspektivë historike, Fakulteti Juridik njeh problemet dhe mangësitë që e kanë shoqëruar ndër vite, në lidhje me cilësinë në mësimdhënie, defektin e vazhdueshëm në raport me cilësinë dhe mungesën e ndërkombëtarizimit të produkteve kërkimore, mungesën e mobilitetit të vazhdueshëm akademik, dhe mbi të gjitha, shkathtësitë e patransferueshme që e kanë përcjell karrierën e shumë prej të diplomuarëve aktual. Përpjekja e parë për të ndërtuar një vizion që e ndryshon Fakultetin Juridik është njohja e këtij realiteti që u theksua me lartë; prandaj, vizion i- ynë është ndërmarrja e një reforme serioze që e ndryshon situatën aktuale, dhe atë e shtron në një rrafsh analitik të planifikimit të së ardhmes. Fakulteti Juridik nuk mëton të jetë një qendër lokale e mendimit dhe mësimit; ne e shofim të ardhmen përmes dritës së ndërkombëtarizimit dhe referimit në modelet e fakulteteve juridike më të mira në botë, kontributit në literaturë që ka vlerë dhe peshë globale, e që kalon nëpër filtra të bashkëautorësisë e vlerësimit të profesorëve me renome ndërkombëtare. Ne nuk e shofim mësimdhënien si një profesion rutinor, ku çdo gjë që shpjegohet qëndron në një status quo, edhe shekullore. Qasja moderne ndaj konkurrencës në tregun e dijes, kërkesave të tregut të punës, perspektivës zhvillimore jashtë kufijve dhe pjesëmarrjes në një treg global janë vetëm disa nga perspektivat ku mbështetet vizioni i Fakultetit Juridik.

Zyra e Dekanit, personeli akademik dhe i gjithë komuniteti studentor i Fakultetit Juridik janë të vetëdijshëm mbi nevojën e një ndryshimi thelbësor, janë të bindur që nuk ka të ardhme pa kaluar përmes një procesi të vet-përmirësimit, dhe janë të bindur që karriera e studentëve duhet të jetë e mbështetur në dije dhe shkathtësi bashkëkohore, kurse personeli akademik duhet të jetë shembull i kapacitetit intelektual e shkencor, që shpërfaqet përmes publikimeve në revista ndërkombëtare e shtëpi botuese të rangut botëror.