Bashkëpunimi ndërkombëtar

Fakulteti Juridik është duke punuar në disa drejtime për ta fuqizuar pjesëmarrjen ndërkombëtare të tij: a) duke ngritur bashkërisht me personelin akademik iniciativa të bashkëpunimit me fakultete simotra në botë, dhe duke promovuar mobilitetin e studentëve dhe të personelit akademik me këto institucione; b) duke bashkërenduar iniciativat në kuadër të Rektoratit të UP-së për të përfituar më shumë mundësi nga skemat aktuale të bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit (siç është ERASMUS, Fulbright, etj); c) duke aranzhuar bashkë-konkurrim me institucionet tjera simotra në projekte shkencore në nivelin Evropian e më gjerë; dhe d) duke zhvilluar programe të përbashkëta studimi në gjuhë të huaja me fakultete simotra në botë, përmes hapjes së mundësisë për shkollim të studentëve ndërkombëtar në institucionin tonë. 

Komponenti i bashkëpunimit ndërkombëtar udhëhiqet nga Zyra e Dekanit, duke u bazuar në rolin substancial të personelit akademik. 

Objektivat specifike për fushën e ‘bashkëpunimit ndërkombëtar' janë:

  • Fuqizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të institucionit përmes ringritjes së strukturave që e menaxhojnë këtë sektor, dhe duke organizuar stafin akademik për të fuqizuar iniciativat ndërkombëtare të tyre;
  • Zhvillimi i programeve të përbashkëta të studimit me fakultete simotra, dhe fuqizimi i mobilitetit të personelit akademik me ato institucione;
  • Fuqizimi i prezencës së Fakultetit Juridik në skemat ekzistuese ndërkombëtare të Rektoratit të UP-së;
  • Ndërtimi i ekipeve që menaxhojnë segment të caktuar të bashkëpunimit ndërkombëtar në mesin e personelit akademik dhe studentor të Fakultetit;
  • Fuqizimi i bashkëpunimit me fakultetet juridike të rajonit, me qëllim të rrjetëzimit të përpjekjeve që adresojnë qëllime të përbashkëta.

Marrëveshjet me universitete tjera
Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti Juridik ka shumë marrëveshje për bashkëpunim vendor dhe ndërkombëtar. Disa nga marrëveshjet e fundit, të bashkëpunimit ndërkombëtar me universitete janë: Paris Nanterre, Francë, Munster- Gjermani, Graz- Austri, Bialystok-Poloni, Çeki, si dhe me universitete në SHBA, OHIO Northern University, Arizona State University, Chicago Kent Law School, Pitssburg, dhe IOWA. 

Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti Juridik vazhdimisht punojnë për arritjen e marrëveshjeve të reja me universitetet më me renome në botë. Në koordinim të plotë me Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Juridik synon të zhvilloj procedura standarde të ndërtimit të ekipeve bërthamë në mënyrë që të mund të konkurroj dhe përfitoj nga projektet ndërkombëtare të mobilitetit.

Marrëveshjet me institucionet publike vendore dhe te huaja
Përveç bashkëpunimit me universitete ndërkombëtare, fokus i Fakultetit Juridik është edhe bashkëpunimi me institucionet publike vendore dhe të huaja me qëllim të përgatitjes së kuadrove profesionale të gatshme për tregun e punës. 

Në këtë drejtim, Fakulteti Juridik vetëm se ka arritur disa marrëveshje me institucione publike brenda Kosovës. Rasti më konkret është Marrëveshja në mes të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës për lehtësimin e dhënies së ekspertizës të stafit akademik të Fakultetit Juridik për komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, dhe bashkë-organizimin e konferencave vjetore bashkë me Kuvendin e Kosovës.

Gjithashtu, Fakulteti Juridk ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me institucionet tjera publike (si: Ministria E Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Akademia e Drejtësisë, Oda e Avokatëve të Kosovës,, etj.) si dhe me disa organizata vendore dhe ndërkombëtare.