Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dalin të parët në garën rajonale në Podgoricë

18 Shkurt 2024
SHARE

Ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, pjesëmarrës në garën Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot, ka fituar vendin e parë në para-garën rajonale të mbajtur në Podgoricë. Po ashtu, studentja e ekipit, Morea Pula, ka fituar titullin e folëses më të mirë të garës. Para-gara e mbajtur në Podgoricë ka për qëllim përgatitjen e ekipeve për garën kryesore, e cila do të mbahet në Vjenë në muajin mars 2024. Kjo para-garë është njëra ndër para-garat më të rëndësishme rajonale, e cila përbëhet nga ekipe të universiteteve më prestigjioze rajonale dhe evropiane. Suksesi maksimal i studentëve të Universitetit të Prishtinës në këtë para-garë paraqet një hap të rëndësishëm drejt përgatitjes së ekipit për pjesëmarrje në garën kryesore. Ekipi fitues i Fajultetit Juridik UP përbëhet nga: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Melisë Sejdiu, Morea Pula, Nol Musa dhe Rea Hadri. Ndërkaq, trajnerët e ekipit janë Prof. Ass. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj. Gara VIS Moot është në mesin e garave që tani janë pjesë e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik, pas akreditimit të programit të reformuar, ku studentët marrin kredi/ECTS, dhe finacohen nga buxheti i fakultetit, UP dhe nga partnerët.

Pjesëmarrje e studentëve edhe në ketë rast është mundësuar nga fakulteti, UP dhe partnerët, e për çka fakulteti falenderon në mënyrë të veçantë Departamentin Amerikan të Shtetit, Programin për Zhvillimin e të Drejtës Kontraktore (Contract Law Development Programme), për mbështjetjen e ofruar për pjesëmarrjen në këtë para-garë.

Fakulteti Juridik dhe Universiteti i Prishtinës në vitet e fundit, kanë krijuar mbështetje të qëndrueshme të pjesëmarrjes së studentëve në garat me prestigjioze për studentët e drejtësisë, e ku edhe rezultatet dhe përfaqësimi është i jashtëzakonshëm. Fakulteti, përgëzon studentët dhe trajnerët e ekipit për suksesin e arritur.