Mbahet Ceremonia e fillimit të Klinikave Ligjore (Programeve të Certifikimit): “Klinika Penale” dhe “Klinika Civile” në Fakultetin Juridik

11 Mars 2024
SHARE

Të premtën, me datë 08.03.2024, në Fakultetin Juridik u mbajt Ceremonia e shënimit të fillimit të klinikave ligjore (programeve të certifikimit), për grupet e studentëve në “Kliniken Penale” dhe “Klinikën Civile”.

Të pranishëm në ceremoni dhe takimin e parë me studentët e përzgjedhur në dy klinikat ligjore, ishin gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, përkatësisht Kryesuesi i KGJK-së z.Albert Zogaj, Kryetari i Gjyklatës Komerciale z.Mahir Tutuli, Prokurorët z.Agron Bajrami dhe z.Ilir Morina, si dhe Av.Edona Sina dhe Av.Urim Vokshi, të cilët u pritën nga Dekani, Prodekanët dhe profesorët.

Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti Dekani i Fakultetit Juridik Prof.Avni Puka, i cili prezantoj punën 3 vjeçare në lidhje me rikonceptimin e mësimit klinik, akreditimin e një modeli unik të klinikave ligjore, përfshirë programet e certifikimit dhe klinikave ligjore me klientë të vërtetë (Live Clincs), themelimin e Qendrës për Studime Klinike në kuadër të Fakultetit Juridik (2023), bashkëpunimin me partnerë të ndryshëm, si dhe lidhjen me tregun e punës në bashkëpunim të ngushtë edhe me akterët e drejtësisë në Republikën e Kosovës, si: KGJK, KPK, OAK dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.

Gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e pranishëm prezantuan para studentëve eksperiencën, perspektivën e tyre për klinikat ligjore, rëndësinë që ka zhvillimi i shkathtësive praktike dhe përgaditje për tregun e punës për juristët e rinjë.

Fillimisht, programet e certifikimet në “Kliniken Penale” dhe “Kliniken Civile” do të nisin me nga dy grupe të studentëve (nga 12 studentë në secilin grup), ku bartës të punës me studentët në zhvillimin e shkathëtsive praktike në kuadër të klinikave, përveç pjesës teorike nga profesorët, do të jenë gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Në ketë semester, klinikat ligjore si programe certifikimi në Fakultetin Juridik, mbeshtetën nga Komisioneri i Lartë Për të Drejtat e Njeriut i OKB-së.