Ish -Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kryetar i Bordit të Rrjetit Gjyqësor të Kampionëve të Çështjeve Gjinore për Ballkanin Perëndimor, z. Robert Spano, mbajti ligjëratë në Fakultetin Juridik me temën: “Demokracia gjithëpërfshirëse dhe sundimi i ligjit: Lufta për të ardhmen tonë”.
Ligjërata u organizua nga Fakulteti Juridik në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Dekani i Fakultetit Juridik Prof.Avni Puka e hapi ligjëratën me një fjale mirëseardhje, duke theksuar rëndësinë e ligjëratës, rolin dhe kontributin e z.Spano në GjEDNJ, dhe faktin se Këshilli i Evropës - Zyra në Prishtinë është një nga partnerët kryesor të Fakultetit Juridik.
Ndërsa, znj.Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në fjalën e saj hyrëse theksoj bashkëpunimin e gjykatës me GjEDNJ, aplikimin e standardeve evropiane në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, si dhe rolin e veçantë që z.Spano ka pasur gjatë mandatit të tij si Kryetar.
Ligjërata u fokusua në sfidat e demokracisë gjithëpërfshirëse dhe sundimit të ligjit në kuptim të zbatimit praktik, ku z.Spano paraqiti argumente nga perspektiva të ndryshme, duke e përfunduar më një diskutim dhe pyetje-përgjigje me studentët e Fakultetit Juridik.
Përveç studentëve, pjesëmarrës në ligjëratë ishin edhe Prorektori i UP-së Prof.Faton Berisha, profesorë dhe staf i UP-së, gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë.