Studentët e Fakultetit Juridik të UP-së , ekipi përfaqësues në garën “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot” e mbajrur në Vjenë të Austrisë, kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u renditur në 3 ekipet me të mira në botë.
Në garë kanë marrë pjesë 400 ekipe të studentëve të drejtësisë, nga universitet me prestigjioze botërore si: Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera. Studentët e Fakultetit Juridik poashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.
Ekipi i Fakultetit Juridik të UP-së është përfaqësuar nga studentët: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa dhe Rea Hadri. Ndërsa trajnerë të ekipit: Prof.Ass.Dr.Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj.
Nga viti 2022 garat me prestigjioze për studentët e drejtësisë si: "Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot” (Vjenë, Austri); Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition” (Uashington, ShBA); Nuremberg Moot Court (Nuremberg, Gjermani) dhe "ICC Moot Court" (Hagë, Mbretëria e Holandës), janë pjesë e programit të përhershëm (kurrikulës) te Fakultetit Juridik. Këto dhe forumet e tjera ndërkombëtare ku studentët marrin pjesë në vitet e fundit, janë model i ndërkombëtarizimit dhe përfaqësimit elitar.
Ky sukses i studentëve: Ariana, Dea, Morea, Melisë, Rea dhe Nolit, do të jetë motivues për studentët e tjerë dhe tregues i punës e arritjeve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.