Vizita e Prof.Binyamin Blum nga UC San Francisco Law School në kuadër të projektit të partneritetit me Fakultetin Juridik

24 Maj 2023
SHARE

Nga 14 deri 18 maj 2023, në Fakultetin Juridik ka qëndruar Prof.Binyamin Blum nga San Francisco Law School (University of California). Vizita e Prof.Blum është realizuar në kuadër të projektit të partneritetit “Expanding and Improving Practical Legal Education in Kosovo”, i  mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, si projekt i përbashkët i Fakultetit Juridik (UP) dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Kalifornisë (San Francisco), për 2 vite (2022-2024), e ku përfshihen vizitat studimore dhe trajnimet për  profesorët e Fakultetit Juridik në San Francisco, pjesëmarrja në konferenca dhe simpoziume shkencore në ShBA, si dhe qëndrimi i profesorëve amerikanë në Prishtinë.

Fillimisht, Prof.Blum (që është edhe udhëheqës i “Global Program” në UC SF Law School), është pritur nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Asoc.Dr. Avni Puka së bashku me Prodekanin për mësimin klinik dhe çështje të tregut të punës, Prof.Ass.Dr. Muhamet Vokrri. Në ketë takim është diskutuar për disa nga aktivitet e përbashkëta, programin e vizitave studimore që do të realizohen në San Francisco deri në dhjetor 2024, reformat e Fakultetit Juridik, programet e reja, etj.

Prof. Blum, i shoqëruar nga prodekani Vokrri, ka vizituar ambiente të ndryshme të fakultetit, veçanërisht Qendrën për Studime Klinike për t’u njoftuar më shumë rreth procesit të themelimit të klinikave ligjore, aktivitetet e Qendrës dhe programet që janë në implementim e sipër.

Prof.Blum ka mbajtur ligjëratë edhe me studentët e Fakultetit Juridik, me temën “US Legal System”, ku ka pas edhe diskutime të hapura dhe pyetje rreth modelit amerikan në raport me sistemin evropian/kontinental.

Në fund, Prof.Blum është takuar edhe me profesorët e Fakultetit Juridik, ku janë diskutuar tema nga fusha e të drejtave të njeriut, e drejta penale ndërkombëtare, drejtësia tranzicionale dhe ndërmjetësimi (të cilët janë tema të përfshira edhe në kuadër të Simpoziumit që do të mbahet në San Francisco nga data 30 maj deri me 4 qershor 2023, e ku pjesëmarrës do të jenë edhe një grup i profesorëve nga Fakulteti Juridik i UP-së).