Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Avni Puka dhe Prodekanët, u takuan me Ekipin Përfaqësues të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës që do të marrin pjesë në garën prestigjioze të drejtësisë “Nuremberg Moot Court” nga data 19-23 Korrik 2023, në Nuremberg të Gjermanisë.
Ekipi i Fakultetit Juridik UP përmes memorandumeve të dorëzuara në fazën paraprake ka arritur që të kualifikohet në mesin e top 32 ekipeve për rundet finale, nga më shumë se 120 universitete pjesëmarrëse. Në rundet finale, secili ekip përgatit argumentet dhe pastaj i prezanton dhe mbron ato edhe gojarisht para paneleve të gjyqtarëve kombëtar dhe ndërkombëtar si dhe profesorëve e ekspertëve të fushës.
Kjo garë realizohet me pjesëmarrjen e grupeve të studentëve të drejtësisë nga e gjithë bota, të cilët prezantojnë një çështje fiktive para "Gjykatës Penale Ndërkombëtare". Duke simuluar procedurat e GJPN, studentët e drejtësisë konkurrojnë duke u bazuar në argumentimin dhe prezantimin e tyre ligjor me gojë dhe me shkrim, në rolin e prokurorisë dhe atë të mbrojtjes. Gara zhvillohet në sallën historike te gjyqit ( Salla 600) të Pallatit të Drejtësisë në Nuremberg, ku janë mbajtur edhe gjykimet kundër nazistëve si përgjegjës për krimet e Luftës së II-të Botërore.
Pjesëmarrja në këtë garë përcillet nga përfitime të shumta. Krahas ndikimit tejet të madh në zgjerimin e njohurive në fushën e së Drejtës Penale Ndërkombëtare, kjo garë përbën një mundësi unike për përfaqësimin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, rrjedhimisht Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe mundësi në ndërtimin e një karriere të suksesshme të studentëve në këtë fushë.
Ekipi i studentëve që përfaqësojnë Fakultetin Juridik/UP-në në ketë vit, përbëhet nga Argjira Asllani, Nisa Ferati, Lura Kuçi dhe Mirlinda Durguti.
Grupi i studentëve pjesëmarrës në garë, do të jenë edhe pjesë e Grupit për Gara dhe Forume Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik-UP.