Marrëveshja, e cila ka të bëjë me projektin/ aktivitetin e titulluar "Ngritja e kapaciteteve për instrumentet dhe mekanizmat për të drejtat e njeriut dhe zhvillim me partnerë (DwP) për praktikuesit dhe profesionistët", u nënshkrua sot nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Qerim Qerimi. Në nënshkrimin e këtij bashkëpunimi, znj. Sarah Jaquiery, Sekretarja e Parë – Këshilltare për të Drejtat e Njeriut në Ambasadën e Zvicrës, z. Ljubisha Bascareviq nga Këshilli i Evropës dhe prof. dr. Avni Puka, dekan i Fakultetit Jurdik ishin të pranishëm.
Përmes kësaj marrëveshjeje synohet të mbështetet praktikuesit dhe profesionistët e jashtëm të cilët do të ligjërojnë në programin e akredituar së fundmi në Universitetin e Prishtinës, i cili ofrohet në gjuhën angleze: Programi Master në të Drejtat e Njeriut, E Drejta Penale Ndërkombëtare dhe Drejtësia Tranzicionale.
Me akreditimin dhe fillimin e programit Master në të Drejtat e Njeriut, E Drejta Penale Ndërkombëtare dhe Drejtësia Tranzicionale nën Fakultetin Juridik, edukimi i vazhdueshëm për të drejtat e njeriut do të jetë në perspektivën afatgjate në kontekstet rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Rektori Qerimi theksoi se programi master në të Drejtat e Njeriut, E Drejta Penale Ndërkombëtare dhe Drejtësia Tranzicionale prezanton programin e parë ndërkombëtar në universitetet publike në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka asnjë program të akredituar të arsimit të lartë që merret me të drejtat e njeriut në Kosovë si dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pasja e këtij programi në Kosovë do t'u mundësojë të diplomuarve të këtij programi që të kontribuojnë në shoqëri në këtë fushë, përfundoi rektori Qerimi.
Në mesin e ligjeratave ndërkombëtare, 3 mesimëdhënës nga universitetet prestigjioze zvicerane (Gjenevë, Lozanë) konfirmuan disponueshmërinë për të marrë pjesë në zbatimin e programit master si ligjërues të ftuar, mentorë dhe hulumtues, u nënvizua nga dekani Puka. Programi synon gjithashtu të krijojë partneritet dhe bashkëpunim afatgjatë me Akademinë e Gjenevës për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtat e Njeriut dhe Institutin e Gjenevës për të Drejtat e Njeriut, për të mësuar nga praktikat e tij më të mira dhe përvoja e vlefshme në zbatimin e programeve akademike në të drejtat e njeriut.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në ambientet e rektoratit të Universitetit të Prishtinës.