Shefi i EULEX-it Giovanni Pietro Barbano viziton Fakultetin Juridik dhe ofron mbështetje

18 Tetor 2023
SHARE

Dje, me datë 17 tetor 2023, Shefi i Misionit të Eulex-it z. Giovanni Pietro Barbano vizitoj Fakultetin Juridik, me rastin e dhurimit të librave dhe pajisjeve teknologjike për fakultetin. Shefi i Eulex-it u prit nga Dekani i Fakultetit Juridik Prof.Asoc.Dr. Avni Puka i shoqëruar nga prodekanët dhe stafi i fakultetit.

Fillimisht Dekani Puka dhe Shefi i Eulex-it nënshkruan marrëveshjen për pranimin e donacionit për fakultetin, duke vazhduar në takimin me gjithë delegacionin, të cilët u njoftuan për reformat e kryera në fakultet, zhvillimin e modelit të avancuar të klinikave ligjore, përfshirjen e ekspertëve nga sistemi i drejtësisë në kuadër të Qendrës për Studime Klinike, akreditimin e programeve në Gjuhën Angleze, pranimin e studentëve të parë ndërkombëtarë në FJUP, projektet ndërkombëtare të bashkëpunimit, përfshirjen e profesorëve nga universitetet me prestigjioze botërore për të ligjuar në Fakultetin Juridik për gjatë gjithë vitit akademik, e të tjera.

Me ketë rast, kjo vizitë shënon edhe fillimin e bashkëpunimit konkret të Fakultetit Juridik me Misionin e Eulex-t, që do të vazhdoj me programe të veçanta të trajnimit për studentët, programin e praktikës, përfshirjen e ekspertëve në kuadër të mësimit klinik, si dhe forma tjera të mbështetjes për studentët dhe personelin e fakultetit.

Në fund, z.Barbano mori pjesë në një diskutim mjaft interesant me studentët, ku ndër të tjera u shpreh se: “Ju jeni themeli i sistemit ligjor vendas dhe si juristë të ardhshëm do ta keni fuqinë për t’i mbrojtur të cënueshmit dhe për t’i mbajtur përgjegjës të fuqishmit. Donacioni ynë i sotëm simbolizon përkushtimin e EULEX-it për profesionistët e ardhshëm ligjor të Kosovës”.