Ekipi përfaqësues i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në garën prestigjioze të drejtësisë Nuremberg Moot Court 2024 është kualifikuar për rundet verbale që do të mbahën në Nuremberg (Gjermani), në ambientet e Gjykatës së Nurembergut (Salla historike Nr. 600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore).
Nga 140 ekipe pjesëmarrëse nga fakultete juridike/universitete prestigjioze botërore, vetëm 40 janë kualifikuar për rundet finale me gojë që do të zhvillohen gjatë muajit korrik 2024 në Gjermani, e në mesin e tyre edhe ekipi i Fakultetit Juridik-UP. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin e Fakultetit Juridik, Universitetit të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës në një komunitet të juristëve botërorë (profesorëve dhe gjyqtarëve nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare, që janë edhe pjesë e jurisë) ku simulohet praktika e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).
Ky sukses është rezultat i një dedikimi dhe pune disa mujore i ekipit të përbërë nga studentët e shkëlqyer: Albina Uka, Era Vitija dhe Gresa Potera, si dhe trajnerëve Ass.Besnik Beqaj dhe Nisa Ferati (Alumni e UP-së dhe pjesëmarrëse në Nuremberg Moot Court 2023), si dhe mbeshtetjen e Prof.Avni Puka, njëherit Dekan i Fakultetit.
Gara e drejtësisë “Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave me prestigjioze botërore që nga viti 2022 është pjesë integrale e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik të UP-së, pas reformave dhe akreditimit të programit BA.
Ky sukses i radhës i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, konfirmon cilësinë e studimeve në UP dhe afirmon përspektivën e juristëve të rinjë në Republikën e Kosovës.