Ekipi përfaqësues i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në garën prestigjioze të drejtësisë “Nuremberg Moot Court 2024”, renditet në mesin e 12 ekipeve me të mira në nivel botëror nga kjo fushë, ku nga mbi 180 ekipe pjesëmarrëse nga fakultete juridike/universitete prestigjioze, vetëm 40 janë kualifikuar për rundet finale. Gara është mbajtur në Nuremberg (Gjermani), në ambientet e Gjykatës së Nurembergut (Salla historike Nr. 600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore).
Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin e Fakultetit Juridik, Universitetit të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës në një komunitet të juristëve botërorë (profesorëve dhe gjyqtarëve nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare, që janë edhe pjesë e jurisë) ku simulohet praktika e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).
Ky sukses i jashtëzakonshëm është rezultat i një dedikimi dhe pune disa mujore i ekipit të përbërë nga studentet e shkëlqyera: Albina Uka, Era Vitija dhe Gresa Potera, si dhe trajnerëve Ass.Besnik Beqaj dhe Nisa Ferati (Alumni e UP-së), si dhe mbeshtetjen e Prof.Avni Puka, njëherit Dekan i Fakultetit.
Gara e drejtësisë “Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave me prestigjioze botërore dhe që nga viti 2022 është pjesë integrale e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik të UP-së, pas reformave dhe akreditimit të programit BA.
Ky sukses i radhës i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, konfirmon cilësinë e studimeve në UP dhe afirmon përspektivën e juristëve të rinjë në Republikën e Kosovës.
Dekani i Fakultetit Juridik, sot ka ndarë edhe logon e Fakultetit për anëtaret e ekipit të “Nuremberg Moot Court 2024”, Albinën, Erën dhe Gresën.