Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, i përfaqësuar nga Dekani Prof. Avni Puka, Prodekanët dhe Profesorët, me ftesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, ka realizuar vizitë zyrtare në Tiranë. Vizita është vazhdimësi e bashkëpunimit me institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe në funksion të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve të nënshkruar në vitin 2022, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen. Gjithashtu, janë realizuar edhe takime me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, profesorë, dhe disa drejtues të institucioneve nga fusha e drejtësisë në lidhje me organizimet e përbashkëta që do të realizohen gjatë vitit vijues.
Pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi është edhe vizita studimore e një grupi të studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, të cilët njoftohen me praktikat e suksesshme të këtij institucioni, si një institucion i pavarur kushtetues, pjesë e Reformës në Drejtësi dhe përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin dhe procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të te gjitha niveleve në Republikën e Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite studimore, studentet kanë pasur rastin të shohin dhe njoftohen drejtpërdrejt edhe me punën që zhvillojnë institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë, si: SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar); Këshilli i Lartë Gjyqësor; Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë.
Për realizimin e këtij bashkëpunimi, Fakulteti Juridik i falënderon të gjitha institucionet e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani dhe gjithë stafin e tij.