NËNSHKRUHET MEMORANDUMI I BASHKËPUNIMIT MIDIS FAKULTETIT JURIDIK DHE ODËS SË AVOKATËVE TË KOSOVËS

06 Janar 2023
SHARE

Me datë 06 janar 2023, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Fakultetit Juridik (UP) dhe Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).

Ky memorandum i bashkëpunimit është rezultat i një komunikimi të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik me institucionet e drejtësisë në Kosovë, e në veçanti me Odën e Avokatëve,  në kuadër të procesit të reformës së planprogramit, rikonceptimit të mësimit klinik dhe funksionalizimit të Qendrës për Studime Klinike (QSK), që konsiston në  aplikimin e klinikave ligjore (sipas një modeli të avancuar të “Live Clinic” apo kryerjes së shërbimeve juridike falas/pro bono nga ana e studentëve, nën mbikëqyrjen e profesorëve, dhe ekspertëve të drejtësisë).

Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mes të Fakultetit Juridik dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, për fuqizimin e komponentës së mësimit klinik dhe aspekteve tjera të praktikës së studentëve, me qëllim të përgatitjes së juristëve të rinj për tregun e punës, si edhe ofrimin e ekspertizës nga personeli akademik në hartimin e legjislacionit sekondar dhe hartimin e dokumenteve të tjera të rëndësishme për OAK-në.

Përveç angazhimit të avokatëve në kuadër të QSK dhe ekspertizës së personelit akademik, memorandumi parasheh edhe draftimin e programit për klinikat ligjore, përfshirjen e partnerëve në aktivitetet me studentë, trajnimet e përbashkëta, organizimin e seminareve, konferencave dhe aktiviteteve tjetra nga fusha e sundimit të ligjit.

Memorandumi u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Asoc.Dr. Avni Puka dhe Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi.