Sukseset e studentëve të Fakultetit Juridik në garat ndërkombëtare po vazhdojnë. Këtë herë suksesi u shënua nga ekipi përfaqësues i studentëve të Fakultetit Juridik - Universitetit të Prishtinës në Rundet Evropiane të garës më të madhe dhe më të vjetër në Botë për drejtësi “Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition”.
Për herë të parë në historinë e Fakultetit Juridik /UP-së, studentët kanë arritur të kualifikohen në çerekfinalen e Rundeve Miqësore Evropiane të mbajtura në Bratislavë të Sllovakisë. Gjithashtu, studentja e ekipit përfaqësues, Ema Guda ka arritur të radhitet në mesin e 20 folësve më të mirë të garës. Kjo garë është gara më e madhe dhe më e vjetër në Botë e formës “Moot Court”, e cila për herë të parë është organizuar në vitin 1960.
Ekipi i Fakultetit Juridik përbëhet nga: Agon Drini, Ema Guda, Erduan Zariqi, Vesa Pula dhe Vinita Morina. Ndërkohë trajnerët e ekipit janë pjesëmarrëset e suksesshme të vitit të kaluar: Ernesa Shala dhe Lea Meraku.
Gjatë Rundeve Evropiane, studentët janë përballur me konkurrentë që vijnë nga universitet me traditë edhe në ketë garë, siç janë ekipet nga Universiteti i Qipros, U. Charles i Pragës, U.i Vjenës dhe U. Eötvös Loránd.
Suksesi i studentëve në Rundet Miqësore Evropiane është tregues i mirë, dhe tanimë ekipi është në procesin e përgatitjeve intensive për rundet ndërkombëtare në Washington DC, SHBA, ku marrim pjesë qindra universitete nga mbarë Bota. E ku mbështetje e ekipit të Fakultetit Juridik në vitet e fundit realizohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Suksesi i studentëve të Fakultetit Juridik në gara ndërkombëtare për drejtësi tanimë është një promovim ndërkombëtar i jashtëzakonshëm i Fakultetit Juridik, dhe Universitetit të Prishtinës. Nga viti 2022, Fakulteti Juridik 4 garat ndërkombëtare me prestigjioze të drejtësisë i ka përfshirë si pjesë integrale e programit të përhershëm (kurrikulës), sipas akreditimit të fundit (2023).