Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Universitetit të Prishtinës/Fakultetit Juridik dhe Fondacionit Rene Cassin- Institutit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut

15 Shtator 2021
SHARE

Me datën 14 shtator 2021, në ambientet e Konsullatës të Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasbourg/Francë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Universitetit të Prishtinës, Fakultetit Juridik dhe Fondacionit Rene Cassin- Institutit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është krijimi i kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit në mes të palëve. Përmes këtij Memorandumi, në veçanti synohet konsolidimi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në fushën e të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, te drejtën humanitare, dhe të drejtën penale ndërkombëtare, duke shfrytëzuar ekspertizën e Fondacionit, dhe në veçanti, duke mundësuar organizimin e sesioneve të trajnimit, konferencave të përbashkëta, dhe pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit Juridik në programet, seminaret dhe sesionin veror që mbahet çdo vit në Strasbourg.

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga Rektori, Prof.Dr. Naser Sahiti, dhe Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Ass.Dr. Avni Puka, në një anë, dhe znj. Valerie Candau në emër të Fondacionit/Institutit, në anën tjetër.

I gjithë aktiviteti deri në finalizimin e këtij Memorandumi është mbështetur dhe koordinuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strasbourg. Me këtë rast, Universiteti i Prishtinës, dhe Fakulteti Juridik shprehin falënderimet e tyre më të sinqerta për znj. Mimoza Ahmetaj, Ambasadore, znj. Floreta Kabashi-Ademaj, Diplomate, dhe tërë stafin e Konsullatës për angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e vendit tonë, dhe mikpritjen e tyre të ngrohtë.