NËNSHKRUHET MEMORANDUMI I BASHKËPUNIMIT MIDIS FAKULTETIT JURIDIK DHE KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

09 Shtator 2022
SHARE

Me datë 06 shtator 2022, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Fakultetit Juridik (UP) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Ky memorandum i bashkëpunimit është rezultate i një komunikimi të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik me institucionet e drejtësisë në Kosovë, në kuadër të procesit të reformës së planprogramit, rikonceptimit të mësimit klinik dhe funksionalizimit të Qendrës për Studime Klinike (QSK), që konsiston në  aplikimin e klinikave ligjore (sipas një modeli të avancuar të “Live Clinic” apo kryerjes së shërbimeve juridike falas/pro bono nga ana e studentëve, nën mbikëqyrjen e profesorëve, dhe ekspertëve të drejtësisë).

Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mes të Fakultetit Juridik dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, për fuqizimin e komponentës së mësimit klinik, me qëllim të përgatitjes së juristëve të rinj për tregun e punës, si edhe ofrimin e ekspertizës nga personeli akademik në hartimin e legjislacionit sekondar dhe hartimin e dokumenteve të tjera të rëndësishme për KPK-në.

Përveç punës së prokurorëve me studentë në kuadër të QSK dhe ekspertizës së personelit akademik, memorandumi parasheh edhe draftimin e programit për klinikat ligjore (penale), përfshirjen e bashkëpunëtorëve profesional në aktivitetet me studentë, trajnimet e përbashkëta, organizimin e seminareve, konferencave dhe aktiviteteve tjetra nga fusha e sundimit të ligjit.

Memorandumi u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Asoc.Dr. Avni Puka dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Jetish Maloku.