NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E BASHKËPUNIMIT NDËRMJET FAKULTETIT JURIDIK DHE AGJENCISË PËR NDIHMË JURIDIKE FALAS

17 Tetor 2022
SHARE

Me datë 17 tetor 2022, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF).

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është rezultat i një komunikimi dhe koordinimi të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik me ANJF, në kuadër të procesit të reformës së planprogramit, rikonceptimit të mësimit klinik dhe funksionalizimit të Qendrës për Studime Klinike (QSK), dhe pas vendimit të datës 27 korrik 2022 të Këshillit Drejtues të ANJF.   Programi i reformuar i Fakultetit Juridik, parasheh zbatimin e klinikave ligjore (sipas modelit “Live Clinic” apo kryerjes së shërbimeve juridike falas/pro bono nga ana e studentëve, nën mbikëqyrjen e profesorëve, zyrtarëve të ANJF, etj.). Në kuadër të programit të ri janë përfshirë klinikat ligjore si: penale, civile, administrative, fiskale, të drejtat e njeriut (ku do të jetë si fokus kryesor: barazia gjinore, mbrojtja nda diskriminimi, mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, etj.).

Marrëveshja parasheh ndërmarrjen e veprimeve konkrete nga të dyja palët për ofrimin praktik të ndihmës juridike falas/pro bono nga studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Nga java tjetër, studentët e përzgjedhur në kuadër të klinikave ligjore do të fillojnë trajnimin bashkë me zyrtarët e ANJF, ne zyrat e kësaj të fundit, dhe pastaj edhe 3 sesione të trajnimeve të përbashkëta deri në dhjetor 2022 me ekspertë ndërkombëtarë (me mbështetjen e partnerëve të të dyja palëve). Për me tepër, reforma e planprogramit dhe modeli i klinikave ligjore në Fakultetin Juridik do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga disa partnerë si: Ambasada Amerikane, Këshilli i Evropës, etj.

Marrëveshja u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Asoc.Dr. Avni Puka dhe Drejtoresha e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, znj.Anita Alaj Kalanderi.