Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës mbështetë nismën që lulëkuqja me katër petale të miratohet si simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë

07 Janar 2023
SHARE

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës shprehë vlerësimin dhe  mbështet nismën publike me qëllim të miratimit të lulëkuqes si simbol zyrtar për të kujtuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Përkujtimi i gjenocidit dhe mizorive të vuajtura nga popullsia civile në Kosovë është e rëndësishme për viktimat dhe të mbijetuarit e këtyre krimeve. Kjo na  përket gjithsecilit!

Siç u shpreh dikur i mbijetuari i Holokaustit, e më vonë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe nobelisti Elie Wiesel, "të harrosh një Holokaust është të vrasësh dy herë", edhe në rastin tonë,  përkujtimi u jep fytyra dhe emra shqiptarëve që humbën jetën nga krimet mizore të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Simboli i lulëkuqes i jep një prani simbolike viktimave të panumërta të mizorisë së gjenocidit.

Duke vlerësuar se e ardhmja e popullit tonë, determinohet edhe nga ndërtimi i memories kolektive për të kaluarën e krimeve të kryera, e gjenocidit në Kosovë, profesorët dhe i gjithë stafi i Fakultetit Juridik e mbështesin nismën dhe ftojnë institucionet e Republikës së Kosovës që të miratojnë lulëkuqen si simbol zyrtar e shenjë identifikuese për kujtimin e gjenocidit në Kosovë.

 

Fakulteti Juridik UP

Simboli i propozuar nga Qendra ,,Gjenocidi në Kosovë - Plagë e hapur''