Profesori Jenik Radon nga Columbia University (New York, USA) nga viti 2023 është angazhuar si ligjërues në Fakultetin Juridik të UP-së, në kuadër të Programit Master në gjuhën angleze “Human Rights, International Criminal Law and Transitional Justice”. Ekspertiza e Prof.Radon përqendrohet në zhvillimin e qëndrueshëm, zhvillimin e shteteve të vogla, përgjegjësinë e korporatave, menaxhimin e rrezikut dhe strategjisë, të drejtat e njeriut, transparencën dhe nismat kundër korrupsionit, etj. Përveç mbajtjes së ligjëratave me studentë në semestrin dimëror, Prof.Jenik gjatë qëndrimit në Prishtinë ka realizuar takime edhe me profesorët e Fakultetit Juridik, dhe është pritur nga menaxhmenti.
Në takim me Dekanin Prof. Avni Puka, është diskutuar vazhdimi i angazhimit në ligjërata dhe përfshirja e profesorit Radon në funksionalizimin e Qendrës për Studimin e Gjenocidit, Holokaustit dhe Drejtësi Tranzicionale, si dhe bashkëpunimi në projekte dhe komponentën e kërkimit shkencor, me interes për stafin dhe studentët.