Studentët e Fakultetit Juridik kualifikohen për rundet verbale të garës prestigjioze të drejtësisë “Nuremberg Moot Court 2025

23 Maj 2025
SHARE

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës janë kualifikuar për rundet verbale të garës prestigjioze të drejtësisë Nuremberg Moot Court 2025, që do të mbahën në ambientet e Gjykatës së Nurembergut (Salla historike Nr. 600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore).

Nga 140 ekipe pjesëmarrëse në fazën e shkrimit të memorandumeve, nga fakultete juridike/universitete prestigjioze botërore, vetëm 40 janë kualifikuar për rundet finale me gojë që do të zhvillohen me 23-26 Korrik 2025 në Gjermani, e në mesin e tyre edhe ekipi i Fakultetit Juridik-UP. Ky është një sukses dhe mundësi e jashtëzakonshme, e përballjes dhe shkëmbimit të dijës nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare në një komunitet të juristëve botërorë (profesorëve dhe gjyqtarëve të kësaj fushe, që janë edhe pjesë e jurisë) ku simulohet praktika e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).

Ky sukses është rezultat i një dedikimi dhe pune disa mujore i ekipit të përbërë nga studentet e Fakultetit Juridik: Morea Pula, Rea Hadri, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli dhe Greta Spahiu,  si dhe trajnerëve Ass.Besnik Beqaj, si dhe Nisa Ferati e Argjira Asllani (Alumni të Fakultetit Juridik dhe pjesëmarrëse në Nuremberg Moot Court 2023), si dhe mbeshtetjen e Prof.Avni Puka, njëherit Dekan i Fakultetit.

Gara e drejtësisë “Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave me prestigjioze botërore, e që nga viti 2022 është pjesë integrale e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik të UP-së, pas reformave dhe akreditimit të programit BA.

Ky sukses i radhës i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, konfirmon cilësinë e studimeve në UP dhe afirmon përspektivën e juristëve të rinjë në Republikën e Kosovës.