Në këtë ceremoni solemne në cilësinë e laudatorit Prof.Asoc.Avni Puka, Dekani i Fakultetit Juridik prezentoi jetën, veprimtarinë profesionale dhe kontributin e një juristi të jashtëzakonshëm, e me arritje kulmore në jurisprudencën ndërkombëtare Prof. Hisashi Owada, me rastin e laurimit të tij me titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”.
__________________________________________________________________________________________________________________________________
Në vijim, fjala e Prof.Avni Puka (laudator) në ceremoninë e ndarjes së titullit të nderit “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Prishtinës për Prof. Hisashi Owada.
I nderuar Rektor i Universitetit të Prishtinës, Prof.Hajrullahu,
Shkëlqesia Juaj, Profesor Hisashi Owada,
Shkëlqesia Juaj, Ambasador z. Kiminori Iwama dhe përfaqësues i Ambasadës së Japonisë, z. Hiroyasu Tanigaki,
Shkëlqesia Juaj, Ambasador z. Sabri Kiçmari,
I nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z.Nexhmi Rexhepi,
Përfaqësues të Sistemit të Drejtësisë në Republikën e Kosovës,
Mysafirë të pranishëm,
I nderuar Kryesues i Këshillit Drejtues, z.Altin Sahiti, te nderuar anëtarë,
Te nderuar prorektorë,
Te nderuar kolegë dekanë,
Te nderuar senatorë,
Profesorë, staf administrativ i Universitetit të Prishtinës
Të dashur studentë,
Zonja dhe zotërinj!
Sot kam një nderë të veçantë nga Universiteti i Prishtinës, dhe njëkohësisht edhe privilegj që të prezentoj jetën, veprimtarinë profesionale dhe kontributin e një juristi të jashtëzakonshëm, e me arritje kulmore në jurisprudencën ndërkombëtare Prof. Hisashi Owada, me rastin e laurimit të tij me titullin e nderit “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Prishtinës, me motivacion:
“Për kontributin e jashtëzakonshëm akademik, si dhe angazhimin jetësor në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale”.
Karriera profesionale e Profesor Owada është e gjatë, arritjet shkencore në fushën e të drejtës ndërkombëtare, rastet e argumentuara para gjykatës ndërkombëtare dhe rezultatet janë të shumta, andaj jam i bindur se në fjalimin tim nuk do të mund të përfshihet gjithë atë që përfaqëson personaliteti dhe figura e tij prej juristi e profesori me arritje të veçanta. Por kam kënaqësinë që të them si vijon:
I formuar në shkollën juridike japoneze fillimisht, Profesor Hisashi Owada ka diplomuar në Universitetin e Tokios në vitin 1955 dhe më pas ka vazhduar studimet në Universitetietin e Kembrixhit dhe specializimet në shumë vende tjera. Profesori ka një karrierë të pasur akademike, duke qenë për shumë vite profesor i drejtësisë në Universitetin e Tokios, e ligjërues edhe në Harvard Law School, Columbia Law School, New York University Law School, etj. Gjthashtu, është profesor emeritus në Universitetin e Leiden-it në Mbretërinë e Holandës.
Përtej akademisë, Profesor Owada shërbeu me shumë dallim si diplomat dhe praktikoi të drejtën ndërkombëtare në nivelin më të lartë. Ai është një burim krenarie kombëtare për Japoninë dhe, nëpërmjet nderimeve që i janë dhënë botërisht, ai simbolizon vlerat universale të drejtësisë, paqes dhe sundimit të ligjit.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Profesor Owada mori pjesë në konferenca dhe simpoziume të shumta ndërkombëtare të nivelit me të lartë. Veçanërisht, ai ishte i përfshirë në Konferencën e Dytë dhe të Tretë të Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit (në vitet 1960 dhe nga viti 1973 deri në vitin 1982); Konferencën e OKB-së mbi Ligjin e Traktateve (1968–1969); dhe seancat e Komitetit Special të OKB-së (1968–1970) që hartoi Deklaratën mbi Parimet e së Drejtës Ndërkombëtare në lidhje me Marrëdhëniet Miqësore dhe Bashkëpunimin midis Shteteve.
Në vitin 1970, ai u zgjodh Kryetar i Komitetit Hartues të Komitetit Special. Ai gjithashtu kontribuoi ndjeshëm në Komitetin Special për Përkufizimin e Agresionit, në mesin e shumë detyrave të tjera ndërkombëtare dhe kontributeve të dallueshme. Një nga kulmet e karrierës së shquar të Profesor Owada-s, dhe i kontributit të tij të jashtëzakonshëm në drejtësinë ndërkombëtare dhe ndërtimin e paqes, ishte shërbimi i tij si Gjyqtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) nga viti 2003 deri në vitin 2018, duke përfshirë edhe mandatin e tij si President i Gjykatës nga viti 2009 deri në vitin 2012.
Kontributi i Profesor Owada-s në GJND tregon se si njohuritë juridike, integriteti dhe përkushtimi ndaj sundimit të ligjit mund ta ndryshojnë me të vërtetë botën. Profesori vinte nga një komb me një histori të pasur, por ai mbrojti të drejtat e kombeve më të vogla me të njëjtin përkushtim. Karriera e tij na kujton se parimet janë më të rëndësishme se pushteti dhe se drejtësia bëhet vërtet universale kur mbështetet me guxim dhe dinjitet.
Si jurist me ndikim të jashtëzakonshëm, Profesor Owada mbetet një burim frymëzimi për breza të tërë studiuesish të drejtësisë në të gjithë botën, dhe veçanërisht për komunitetin e juristëve në Republikën e Kosovës. Vendimet dhe Mendimet Këshilldhënëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në shumë raste, të formësuara nga udhëheqja e Profesor Owada-s, përfaqësojnë një përpjekje të madhe intelektuale dhe profesionale për të mbrojtur të drejtat universale dhe paqen bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare. Në raste shumë të ndjeshme dhe të ngarkuara politikisht, Profesor Owada luajti një rol thelbësor në udhëheqjen e procedurave të Gjykatës dhe në mbrojtjen e një qasjeje rigoroze juridike ndaj çështjeve komplekse gjeopolitike, duke siguruar një trajtim të ekuilibruar dhe të drejtë të të gjitha palëve.
Në konceptualizimin dhe hartimin e vendimeve të GJND-së, Profesor Owada vazhdimisht mbështeti një metodologji të shëndoshë dhe parimore, duke i kufizuar me kujdes vlerësimet e Gjykatës në ligjshmërinë e çështjeve në fjalë. Kjo ishte thelbësore në ruajtjen e neutralitetit, objektivitetit dhe pranueshmërisë së gjerë ndërkombëtare të vendimeve të Gjykatës.
Arsyetimi ligjor i artikuluar në këto vendime nën udhëheqjen e Profesor Owada-s do të mbetet një pikë referimi në historinë e së drejtës ndërkombëtare. Brezat e ardhshëm të juristëve do të studiojnë kontributet e tij si ato të një juristi të dalluar. Puna e gjyqtarëve të GJND-së të udhëhequr nga Profesor Owada, e bazuar në parimet më të larta të drejtësisë, zë një vend të veçantë në historinë e Gjykatës. Ne e nderojmë atë për kontributet e tij të pakrahasueshme dhe zotohemi ta respektojmë përgjithmonë trashëgiminë e tij. Emri i Profesor Hisashi Owada, së bashku me arritjet e tij akademike dhe profesionale, do të ruhen përgjithmonë në analet e shkencës juridike.
Duke kujtuar historinë unike të Universitetit të Prishtinës, e cila i paraprin pavarësisë së Kosovës dhe ekzistencës së saj si shtet, dhe duke qenë prej kohësh një dritë për lëvizjen drejt lirisë dhe shtetësisë, jemi thellësisht krenarë sot, që Profesor Hisashi Owada laurohet me titullin më të lartë nderi Doctor Honoris Causa nga universiteti i jonë.
Duke pasur parasysh këtë, jam jashtëzakonisht i nderuar që marr pjesë në këtë ceremoni solemne, dhe në emër të Universitetit të Prishtinës, ftoj Rektorin të dorëzoj zyrtarisht këtë titull nderi.
Faleminderit.
AP