Sot, me 15 shtator 2025, në Fakultetin Juridik u mbajt ceremonia e mirëseardhjes për studentët e rinj, të cilët u mirëpritën nga Dekani i Fakultetit Juridik dhe prodekanët, profesorët, dhe stafi i administratës.
Dekani i Fakultetit Juridik Prof.Avni Puka, ju uroj mirëseardhje studentëve të rinjë, duke i përgëzuar për vendimin e tyre që të studiojnë drejtësi, një profesion fisnik dhe me interes të lartë, derisa vetë sundimi ligjit përbën prioritetin e parë dhe me të rëndësishëm në të gjitha shoqëritë dhe vendet demokratike.
Studentët që fillojnë nga sot rrugëtimin në fushën e drejtësisë, u njoftuan për programin e ri të Fakultetit Juridik, e ku përfshihen shumë mundësi të formimit teorik e profesional dhe zhvillimit të shkathtësive praktike për juristët, bazuar në modelet e shkollave juridike me elitare në botë. Gjithashtu, studentët u informuan për shumë mundësi që tani Fakulteti Juridik i UP-së ofron si në kuadër të Qendrës për Studime Klinike, angazhimit në punë praktike, pjesëmarrjes në garat me prestigjioze ndërkombëtare për studentët e drejtësisë, forumet e tjera ndërkombëtare, mundësitë për mobilitet, si dhe mundësitë e përfshirjes në shumë aktivitete të grupeve të ndryshme të studentëve të fakultetit.
E veçanta e kësaj ceremonie ishte prezenca dhe fjala e Profesorit shumëvjeçar të Fakultetit Juridik, tani në pension, Prof.Osman Ismajli.
“I nderuar Dekan i Fakultetit Juridik, Prof.Avni Puka,
Te nderuar prodekanë, profesorë dhe staf i Fakultetit Juridik,
Të dashur studentë të rinjë,
Është një nder dhe një emocion i veçantë për mua, që pas një karriere të gjatë në Fakultetin Juridik, tani si profesor në pension të jem sot para jush, në një ditë kaq të veçantë: Ceremoninë e mirëseardhjes për studentët e rinj, për gjeneratën 2025/2026. Kjo ceremoni shënon edhe ditën e parë të një kapitulli të ri në jetën tuaj akademike.
Të jesh student i drejtësisë është nder, privilegj por edhe përgjegjësi. Ju sot bëheni pjesë e një institucioni që ka një histori relativisht të gjatë, të sfidave e përkushtimit të shumë brezave të profesorëve dhe studentëve.
Në ketë institucion kam kaluar rreth 4 dekada, duke punuar me gjenerata e gjenerata të juristëve, e duke përcjellë ecjen e Fakultetit Juridik nga periudha e paraluftës, përfshirë dekadën që ishim jashtë kampusit, e ku profesorët bashkë me studentët vazhduam në objektet private në Velani, e pas luftës, pas çlirimit të Kosovës, u rikthyem në objektet tona!
Pas luftës, kishim shumë shpresa dhe aspironim shumë, por jo gjithçka ishte sipas pritjeve tona!
Sigurisht, unë edhe tani i përcjell me vëmendje zhvillimet rreth Fakultetit Juridik, e sot, me shumë se kurrë, ky institucion ka avancuar është bërë model i shkollës juridike – falë reformave të guximshme dhe vizionit të qartë të udhëheqjes aktuale.
Dëshiroj të përgëzoj publikisht Dekanin tonë, Profesor Avni Puka për transformimin e thellë që ka ndodhur në Fakultetin Juridik në vitet e fundit. Kur dëgjoj e shoh ndryshimet në infrastrukturë, reformat e thella në kurrikulë dhe mundësitë e shumta për kërkimin shkencor, zbatimin e klinikave ligjore, programe të reja në gjuhë angleze e ardhjen e studentëve ndërkombëtarë për të studiuar në Fakultetin Juridik (nga e mbarë bota), shumë bashkëpunime me institucione kredibile ndërkombëtare, e sukseset e studentëve të juridikut në nivel botëror, me duhet të shpreh se: kjo ishte aspirata e shumë prej ne profesorëve. Kjo më bën shumë krenar!
E di që kjo nuk është e lehtë i dashur Dekan, e jam i vetëdijshëm se keni sfida e pengesa, por vazhdoni e mos u ndalni, së kjo i duhet studentëve, fakultetit, sistemit të drejtësisë dhe Republikës së Kosovës. Ju lumtë!
Të dashur studentë,
Ju them me bindje se ju jeni gjeneratë me fat që studioni në Fakultetin Juridik sot, andaj ju ftoj të shfrytëzoni këto mundësi të jashtëzakonshme që ofron ky institucion. Duhet të rrugëtoni më përkushtim dhe integritet e të jeni kurioz në vazhdimësi. Mos keni frikë të bëni pyetje, të sfidoni profesorët e juaj e të kërkoni më shumë, sepse Universiteti është tempulli ku ju formoheni e pajiseni me dije.
Ju uroj rrugëtim të mbarë, suksese të shumta dhe vite të mbushura me dije e përvoja të jashtëzakonshme.
Faleminderit!
15 Shtator 2025, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës”
Fakulteti Juridik ju uron suksese studentëve në rrugëtimin e nisur sot!