Me datë 6 tetor 2025, Dekani Prof.Avni Puka priti në takim studentët ndërkombëtarë të regjistruar si studentë të rregullt (full time) në Fakultetin Juridik të UP-së, në kuadër të programit master në gjuhë angleze “Human Rights, International Criminal Law and Transitional Justice” dhe ju uroj mirëseardhje në fakultet. Në vitin akademik 2025/2026 janë pranuar 5 studentë ndërkombëtarë nga vende si: Gjermani, Itali, Suedi, Francë dhe Turqi, e me një formim paraprak në shkolla prestigjioze si Cambridge University, Laiden University, Utrech University, Lille University dhe Bologna University.
Gjithashtu, në programin HRICLTJ janë pranuar edhe 15 studentë vendorë, ndërsa pjesë e personelit akademik që ligjërojnë në ketë program, përveç profesorëve të Fakultetit Juridik, janë të angazhuar edhe profesorë ndërkombëtarë (si “co-professor”) nga universitete, shkolla juridike me renome(si: Columbia University, UC San Francisco Law School, Florence University, Loussane University, Geneva Acdemy, AU- Washington College of Law, UZ-Faculty of Law, etj.).
Studentët ndërkombëtarë, u njoftuan se përveç bursave, së bashku me studentët vendorë të këtij programi do të kenë mundësi të përfshihen edhe në shumë aktivitete ekstra kurrikulare si vizita studimore, praktikë hulumtuese në ambientet e institucioneve dhe organizatave që janë partnere të Fakultetit Juridik, UP, aktivitete e programe të Qendrës për Studimin e Gjenocidit, Holokaustit dhe Drejtësi Tranzicionale që është në proces të funksionalizimit gjatë këtij viti akademik, etj.