Qendra për Studime Klinike (QSK)/Fakulteti Juridik UP fton studentët të aplikojnë për punë praktike (pa pagesë) në kuadër të zbatimit të Programit të klinikave ligjore (Klinika Penale dhe Klinika Civile) për periudhë katër (4) muaj duke filluar nga data 26.03.2026, me mundësi vazhdimi. Pas përfundimit të periudhës së praktikës, studenti/ja pajiset me certifikatë të përfundimit me sukses të praktikës nga Fakulteti Juridik UP.
Programi i praktikës është i dizajnuar për të mbështetur Programet e certifikimit në kuadër të klinikave ligjore (Klinika Penale dhe Klinika Civile) që do të fillojnë nga fundi i muajit mars 2026, me përfshirjen e 60 (30+30) studentëve të Fakultetit Juridik, ku përveç mbikëqyrjes nga profesorët, do të angazhohen gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë për mbajtjen e orëve të mësimit klinik.
Përgjegjësitë kryesore të 2 (dy) praktikantëve përfshijnë:
- Mbështetja e zbatimit të klinikave ligjore në koordinim me QSK-në/Zyrën e Dekanit dhe gjyqtarët, prokurorët si dhe avokatët e angazhuar;
- Mbajtja e evidencave dhe raportimi në lidhje me mbarëvajtjen e klinikave ligjore (Klinika Penale dhe Klinika Civile);
- Koordinimi dhe mbështetja e aktiviteteve që zhvillohen në kuadër të klinikave ligjore;
- Njoftimi i studentëve pjesëmarrës në kuadër të programeve të certifikimit të klinikave ligjore për oraret, detyrat dhe aktivitetet që zbatohen;
- Koordinimi dhe zbatimi i orarit të klinikave në komunikim me ekspertët e angazhuar (gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët);
- Pjesëmarrje në aktivitete dhe procese të tjera profesionale në kuadër të institucionit.
Kriteret e aplikimit:
- Të jenë studentë të regjistruar në Fakultetin Juridik në studimet Bachelor ose Master;
- Të kenë notën mesatare së paku 8.00;
- Të kenë shkathtësi analitike dhe komunikuese;
- Të posedojë shkathtësi të përdorimit të Teknologjisë Informative;
- Motivim për zhvillim profesional dhe përfitim të përvojës praktike.
Orari dhe kohëzgjatja e praktikës:
Orari i angazhimit të praktikantëve do të jetë me gjysmë orari (4 orë) me një ndarje proporcionale midis 2 praktikantëve, bazuar edhe në orarin e zhvillimit të programeve të klinikave ligjore nga gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët.
Dokumentet e nevojshme për aplikim:
- CV e shkurtër.
- Dëshmia e statusit të studentit/es të rregullt dhe aktiv ose Vërtetimi i notave nga sistemi SEMS.
Mënyra e aplikimit:
Të gjitha aplikacionet duhet të dorëzohen në formë elektronike në emailin:
[email protected] deri me datën 21.03.2026.
Në subjekt të emailit të shënohet: Emri Mbiemri - Aplikimi për punë praktike
Aplikacionet e pranuara pas këtij afati nuk do te merren parasysh. Vetëm kandidatët e
përzgjedhur në listën e ngushtë do të kontaktohen.
Qendra për Studime Klinike – QSK
Fakulteti Juridik UP