Historiku i Fakultetit
Fakulteti Juridik është themeluar më 23 qershor të vitit 1961 si institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe fillimisht është quajtur Fakultet Juridik-Ekonomik, emërtim ky që e mbajti deri në vitin 1970. Prej vitit 1971 e deri më sot, Fakulteti Juridik funksionon si njësi akademike brenda Universitetit të Prishtinës (UP), i cili organizon studime themelore, të magjistraturës (master) dhe të doktoratës. Në Fakultetin Juridik studimet zhvilloheshin sipas sistemit katërvjeçar. Studimet pasdiplomike u hapën në vitin 1974/75, fillimisht në seksionin-drejtimin Administrativ-Politik dhe në atë Juridik-Civil, kurse nga viti akademik 1984/85 edhe në seksionin-drejtimin Juridik-Penal.
Gjatë periudhës 1991 – 1999, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, sikurse edhe institucionet e tjera të arsimit, ishin objekt i sulmit të forcave shtetërore serbe, të cilat rezultuan me suprimimin e dhunshëm të procesit mësimor në gjuhën shqipe dhe me largimin e dhunshëm të profesorëve, bashkëpunëtorëve, punëtorëve të administratës dhe studentëve shqiptarë nga lokalet e veta. Fakulteti Juridik, sikurse edhe i tërë Universiteti i Prishtinës, gjatë kësaj periudhe vazhdoi procesin mësimor nëpër shtëpi private. Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, Fakulteti Juridik filloi punën në objektin e vet, i cili ishte i dëmtuar, pa inventar, pa bibliotekë, salla të demoluara etj. Fakulteti vazhdon edhe sot punën në këto objekte, por tani me një infrastrukturë të re dhe të përmirësuar në vazhdimësi.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga fillim i punës, Fakulteti Juridik ka nxjerrë kuadro të shumta, të cilat kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në fushën e shkencës juridike, gjyqësisë, prokurorisë, administratës, politikës dhe në çështjet kombëtare dhe të shtetformimit e shtetndërtimit. Fakultetit Juridik është institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosovë që ka ofruar edukimin e juristëve ne sistemin e arsimimit ligjor, me gjithë ballafaqimin me sfida të shumta.
Fakulteti Juridik, sikurse edhe të gjitha fakultetet e tjera të Universitetit të Prishtinës i janë qasur me seriozitet një procesi intensiv dhe të vazhdueshëm të reformimit të arsimit, në pajtim me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare të shkollimit të lartë.
Aktualisht Fakulteti Juridik ka mbi 5000 studentë, në të gjitha nivelet (Baçelor, master dhe doktoraturë).
- Fillimi i vitit të ri akademik 2023/2024 në Fakultetin Juridik - Ceremonia e mirëseardhjes për studentët e vitit të I-rë!
- Afati për regjistrimin e semestrit Dimëror të vitit akademik 2024/2025
- Sukses i jashtëzakonshëm i studentëve të Fakultetit Juridik (UP) në garën prestigjioze të Drejtësisë Penale Ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2024”
- Thirrje Publike, për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime në bazë të nevojave të njësive akademike, për VA 2024-2025