Bashkëpunimi i Fakultetit Juridik (UP) dhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

18 Gusht 2022
SHARE

Sot, me datë 17.08.2022, Dekani i Fakultetit Juridik Prof.Avni Puka është takuar me Drejtoreshën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) znj.Anita Alaj Kalanderi. Takimi ishte në vijimësi të takimeve paraprake dhe bashkërendimit të angazhimeve për mbështetjen e “Klinikave Ligjore” në kuadër të Qendrës për Studime Klinike në Fakultetin Juridik, e cila do të funksionalizohet në vitin akademik 2022/2023, si pjesë e ri-konceptimit të mësimit klinik.

Programi i reformuar i Fakultetit Juridik, parasheh aplikimin e klinikave ligjore (sipas modelit “Live Clinic” apo kryerjes së shërbimeve juridike falas “pro bono” nga ana e studentëve, nën mbikëqyrjen e profesorëve, zyrtarëve të ANJF, avokatëve, etj.). Në kuadër të programit të ri janë përfshirë këto klinika ligjore: penale, civile, administrative, fiskale, të drejtat e njeriut (ku do të jetë si fokus kryesor: barazia gjinore, mbrojtja nda diskriminimi, mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, etj.).

Dekani Puka, ndër të tjera e falënderoj Drejtoreshën Znj.Alaj Kalanderi për gatishmërinë për bashkëpunim, si dhe mbështetjen e një modeli të avancuar të klinikave ligjore në kuadër të Qendrës për Studime Klinike të Fakultetit Juridik të UP-së.